Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka vazhduar edhe fazën e dytë të përgatitjeve për garat evropiane në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në fillim të kësaj jave, Ballkani është kthyer në Ohër pasi gjatë vikendit u rikthye në Kosovë për të pushuar pas fazës së parë përgatitore. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ilir Daja është i vetmi prej katër skuadrave pjesëmarrëse në garat evropiane nga Kosova për sezonin e ri, që përgatitjet i ka kryer jashtë Kosovës. Në Ohër janë zhvendosur edhe Drita, Gjilani e Llapi, ekipe që gjithashtu do të luajnë në Evropë, por në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Konferencës. Ballkani do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Për dallim prej Ballkanit, skuadrat e tjera të Superligës fazën e parë përgatitore e kanë kryer në Kosovë. Të gjitha skuadrat janë shprehur të kënaqura me kushtet që i ofron Ohri për t’u përgatitur dhe kanë insistuar se do të jenë plotësisht të gatshme për duelet e garave të UEFA-s, të cilat nisin në ditët e para të muajit të ardhshëm. Krahas përgatitjeve, skuadrat kosovare do t’i zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore, ku edhe do të përballen me njëra-tjetrën. Ballkani tashmë ka luajtur me Shkupin, Akademija Pandevin e Llapin, përpara se të luajë edhe kundër skuadrës së Dritës më 26 qershor. Kampioni i Kosovës, po ashtu është forcuar edhe me Leonit Abazin e Qëndrim Zybën, të cilët sezonin e shkuar ishin pjesë e Prishtinës. Në raundin e parë kualifikues të Championsit, Ballkani do të përballet me Zhalgiris Vilniusin e Lituanisë.
Dueli i parë do të luhet më 5 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ai i kthimit pas një jave në Lituani. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi është i bindur se Ballkani do të jetë i gatshëm për debutim në Evropë. Ai të mërkurën për KOHËN ka thënë se përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe ka pranuar se synimi i Ballkanit është të kualifikohet në raundin e dytë kualifikues të Championsit. Në rast te eliminimit të Zhalgirisit, Ballkani në raundin tjetër do të përballet me ekipin e madh nga Suedia, Malmon. E nëse nuk e tejkalon Zhalgirisin, atëherë Ballkani aventurën evropiane do ta vazhdojë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do ta luajë me humbësin e gjysmëfinales së turneut preliminar të Championsit ndërmjet La Fioritas nga San Marino dhe Inter Club d’Escaldesit nga Andorra.
“Përgatitjet po ecin shumë mirë, normalisht janë të lodhshme, sepse ngarkohen shumë, sidomos në aspektin fizik. Mirëpo janë të rëndësishme për vazhdimësinë e përgatitjeve dhe po bëjmë më të mirën që të jemi gati për ndeshjet e para. Jemi në fazën e dytë dhe tani jemi futur në ritmin e duhur pas pushimit të shkurtër. Kushtet janë shumë të mira dhe neve na mbetet vetëm të përgatitemi sa më shumë sepse na presin ndeshje të mëdha”, është shprehur Thaqi.
“Janë shumë të rëndësishme, sepse gjithë grupi është bashkë, dhe gjithçka ka të bëjë me regjimin, me ushqimin dhe për këtë arsye këto përgatitje bëhen edhe më të veçanta. Kemi kohë edhe dhjetë ditë që të arrijmë maksimumin dhe shpresojmë që të futemi në ndeshje me formën më të mirë të mundshme për të arritur synimin, pra kalimi i raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve. Nëse e kalojmë ekipin nga Lituania, do t’ia lehtësojmë vetes shumë punët për ndeshjet e tjera”.
I kënaqur me kushtet në Ohër është shprehur edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Pas miqësores me Ballkanin, Llapi në këtë vend do të përballet edhe me Gjilanin (24 qershor), Makedonija GP (26 qershor) dhe Laçin (28 qershor). Për vitin e dytë rresht Llapi do të paraqitet në Ligën e Konferencës, niveli i tretë i garave të UEFA-s dhe në raundin e parë kualifikues do ta ketë kundërshtar ekipin nga Mali i Zi, Buduqnostin e Podgoricës.
Deri më tani Llapi ka bërë edhe disa përforcime, siç janë Gerhard Progni, Andri Mustafa, Amrush Bujupi, Ardi Qorri dhe Fernando Augusto nga Brazili.
“Përgatitjet janë duke shkuar mirë dhe jam shumë i lumtur se çfarë ekipi kam krijuar me lojtarë cilësorë. Motivi është shumë i lartë dhe secili kundërshtar do ta ketë vështirë për të na thyer, përfshirë edhe ata në garat evropiane. Jemi akomoduar në Ohër dhe i kemi të gjitha kushtet për t’u përgatitur sa më mirë në këtë fazën e dytë”, ka insistuar Batatina. “Mund të them se Llapi do të jetë plotësisht gati për ndeshjen e parë me Buduqnostin dhe do të japim gjithçka nga vetja për të vazhduar në raundin tjetër. E ndeshjet miqësore janë një test dhe mundësi e mirë që t’i evitojmë të gjitha gabimet e mundshme para ndeshjeve evropiane”.
Skuadra e Gjilanit do të qëndrojë, po ashtu, në Ohër deri më 30 qershor, përpara se të kthehet në Kosovë e gatshme për ndeshjen kundër Liepajas së Letonisë. Ndërkohë Drita do të përballet me Inter Turkun e Finlandës. Gjilani deri më tani e ka zyrtarizuar vetëm trajnerin e ri, Zekirija Ramadani, dhe mbrojtësin Besart Krivanjeva, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Egnatias.
Për dallim nga Gjilani, skuadra e Dritës ka afruar në radhët e veta lojtarët si Leonat Vitija, Iran Junior, Blendi Baftiu, Besnik Krasniqi e Florian Smakiqi. Në Ohër, Drita tashmë ka luajtur miqësore me Makedonija GP dhe do përballet edhe me Ballkanin e Strugën përpara se të kthehet në Kosovë.
“Faza përgatitore po ecën mjaft mirë. Po punojmë me intensitet të shtuar nga dy herë në ditë dhe ekipi po duket në formë të mirë. Edhe ardhjet e reja janë ambientuar mjaft mirë dhe priten të jenë një ndihmesë mjaft e madhe. Do t’i kemi disa ndeshje kontrolluese për të parë nga afër se ku ndodhemi me përgatitje. Besoj që do jenë një test i mirë para garave ndërkombëtare”, ka thënë mbrojtësi i Gjilanit, Armend Halili. “Besoj që do të jemi kur të kompletohemi në tërësi dhe do të komponohemi. Do të japim maksimumin nga vetja për të kaluar të paktën rrethin e parë”.