Shqipëria do të mësojë rivalët në grupet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” sot, më 2 dhjetor.
Në Hamburg prej orës 18:00 do të hidhet shorti për grupet e “Euro 2024”. Skuadrat janë të ndara na katër vazo dhe Shqipëria ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë, njofton FSHF.
Gjermania si ekipi pritës i Evropianit ndodhet në vazon e parë dhe ekipet e tjera në atë vazo janë Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia. Në vazon e tretë ndodhen Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Çekia. Ndërsa vazo e katërt ende nuk është e plotësuar, pasi deri më tani janë të konfirmuar vetëm tri ekipe: Italia, Serbia dhe Zvicra.
Tri ekipet e tjera do të përcaktohen nëpërmjet fazës Play – off, ku bëjnë pjesë 12 skuadra bazuar në performacën e tyre në Nations League. Skuadrat janë të ndara në tri grupe (A, B dhe C) dhe do të luajnë shanset e tyre në marsin e vitit 2024. Tre fitueset e grupit do të plotësojnë edhe vazon e katërt. Evropiani “Gjermani 2024” do të nisë më datë 14 qershor dhe do të ulë siparin me finalen e madhe në datë 14 korrik.