Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot duke filluar nga ora 10:00 do të mblidhen për seancën e radhës, raporton Gazeta “Enigma”.
Fillimisht në rend dite është seanca e veçantë, kur pritet të miratohet Deklarata në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Po ashtu, në pikat e papërfunduara nga seanca plenare e 3 nëntorit, është edhe votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se deputetët e pushtetit kanë bojkotuar seancën e Kuvendit në të cilën ishte paraparë që të miratohej një deklaratë nëpërmjet të cilës do të mbështetej rezoluta e Parlamentit Evropian me të cilën u dënua sulmi i një grupi të armatosur të serbëve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Po ashtu, edhe debati parlamentar për shqyrtimin e projektrezolutës për mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovës ka dështuar të mbahet seancën e kaluar, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk morën pjesë.
Seanca e jashtëzakonshme e 12 shtatorit u thirr nga partitë opozitare. /GAZETA ENIGMA/