Nën organizimin e prestigjiozes The Economist, gjatë të martës në Prishtinë do të mbahet samiti rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas përshkrimit, në këtë samit do të diskutohet për agresionin ushtarak rus në Ukrainë, mungesën e energjisë elektrike dhe rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në rajon e botë.
“Rajoni ka një rol kritik për të luajtur në nxitjen e paqes, bashkëpunimit dhe unitetit përmes diversitetit për Evropën. Megjithatë, për të përfituar nga ky rol, vendet e rajonit do të duhet të zgjidhin konfliktet rajonale dhe të lehtësojnë reformat që zvogëlojnë hendekun me pjesën më të zhvilluar të Evropës”, thuhet në përshkrim.
Nga njëmbëdhjetë diskutimet, në panel do merr pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ish-kryeministri grek George Papandreou, ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin, Stuart Peach, ish-ndihmëssekretari amerikan Wess Mitchell dhe shumë personalitete të tjera nga fushat politike, të sigurisë, ekonomisë dhe teknologjisë.