Palët rusë dhe ukrainase pritet të ulen përsëri të hënën në Stamboll të Turqisë në rundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe që nga viti 2022, ndonëse janë akoma larg me qëndime për atë se si t’i jepet fund konfliktit, përderisa luftimet po ashpërsohen.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që Rusia dhe Ukraina të arrijnë paqe, por një gjë e tillë ende nuk është arritur dhe Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar disa herë se Shtetet e Bashkuara “do të tërhiqen” nga përpjekjet për ndërmjetësim, nëse dy palët vazhdojnë të jenë kokëforta në procesin e paqes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në rundin e parë të bisedimeve më 16 maj u arrit marrëveshja për shkëmbimin më të madh të të burgosurve të luftës, por nuk pati ndonjë shenjë për arritjen e paqes dhe madje as për një armëpushim, pasi palët thjesht i paraqitën pozicionet e tyre.
Pasi e la botën në hamendje nëse Ukraina madje do të paraqitej apo jo në rundin e dytë të bisedimeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, do të takohet me zyrtarë rusë në Stamboll.
Delegacioni rus do të drejtohet nga ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, i cili pas rundit të parë të bisedimeve e citoi gjeneralin e famshëm francez, Napoleon Bonaparte, për të thënë se lufta dhe bisedimet gjithmonë duhet të zhvillohen në të njëjtën kohë.
Të dielën, Ukraina e kreu njërin nga sulmet më ambicioze të luftës, duke vënë në shënjestër aeroplanë bombardues rusë në Siberi dhe në baza të tjera ushtarake, ndërsa forcat ruse nisën 472 dronë drejt Ukrainës, tha forca ajrore ukrainase. Ky ishte numri më i madh i dronëve të hedhur brenda një nate që nga fillimi i luftës.
Ideja e bisedimeve të drejtpërdrejta ishte propozuar fillimisht nga presidenti rus, Vladimir Putin, pasi Ukraina dhe fuqitë evropiane kërkuan që ai të pajtohej për armëpushim, kërkesë që u refuzua nga Kremlini.
Putini tha se Rusia do të hartonte një memorandum në të cilin do të paraqiteshin kushtet e gjera për një pakt të mundshëm të paqes dhe vetëm atëherë do të diskutonte për armëpushim. Ukraina tha në fundjavë se ende ishte duke e pritur draftin e memorandumit nga pala ruse.
Kryenegociatori rus, Medinsky, tha të dielën se Moska kishtepranuar një draft të memorandumit nga Ukraina dhe agjencisë së lajmeve RIA i tha se Kremlini do të reagonte për këtë draft të hënën./