Sot është afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca e nisur të enjten për konstituimin e legjislaturës së 11-të.
Seanca u ndërpre një ditë më parë me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të arritur marrëveshje rreth çështjes së presidentit.
Kërkesa e Kurtit shkaktoi reagime nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, por pavarësisht kundërshtimeve, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu punën.
Para ndërprerjes, Kuvendi arriti t’i përfundojë dy pikat e para të rendit të ditës: formimin e komisionit për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.
Pas konstatimit se mandatet ishin në rregull, deputetët dhanë betimin, përfshirë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.
