Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë pritet të takohen sot për një rund të ri bisedimesh, me synim ndaljen e armiqësive në Ukrainë.
Palët janë takuar edhe dy herë të tjera, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por pa ndonjë rezultat konkret.
“Rundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet të hënën”, ka thënë dy ditë më parë negociatori ukrainas, David Arakhamia.
Negociatori rus, Leonid Slutsky, ka thënë se “rundi i tretë mund të zhvillohet në ditët në vijim” dhe se “ka gjasa të zhvillohet të hënën”.
Dy rundet e para të bisedimeve janë mbajtur në Bjellorusi. Më shumë detaje për rundin e sotëm nuk ka ende.
Ndryshe, Rusia do të hapë korridore të reja humanitare nëpër disa qytete të Ukrainës, për të lejuar evakuimin e civilëve, raportojnë mediat shtetërore.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, armëpushimi do të bëhet nga ora 10:00 – sipas kohës lokale – në kryeqytetin Kiev, si dhe në qytetet Harkiv, Mariupol dhe Sumi. /Gazeta Enigma/.