Spanja mbetet kundër kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në BE

Spanja mbetet kundër kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në BE

”Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”, ka thënë Pascual Navarro përfaqësues i Spanjës për Bashkimin Europian, gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përbashkët për BE, të mbajtur në Senat.

Tutje ai ka shpjeguar se pasi Kosova të ketë dorëzuar zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim në Presidencën aktuale, në këtë rast Republikën Çeke, duhet të merret një “vendim procedural”, të cilin supozohet se Suedia do ta miratojë që nga janari si Presidencë e re.

Gjëja normale, vazhdoi ai, është që të kërkohet mendimi i Komisionit Evropian dhe më pas të debatohet për këtë çështje në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe në fund të vendosin liderët evropianë në Këshillin Evropian.

“Qeveria nuk do të mbështesë kandidaturën në rrethanat aktuale dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi Sekretari i Shtetit të Spanjës për Bashkim Europian.

Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në përgjithësi, Navarro ka theksuar se Qeveria “ka qëndrim konstruktiv” në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mbështetë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ndërmjetësimin e BE-së dhe së fundi mbështet liberalizimin e vizave me Kosovën që edhe pse “është jo një shtet, është një territor me të cilin BE ka marrëdhënie”.

Related Articles