Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka thënë se nuk është e vërtetë që Gjykata Speciale ka zyre në shtetin e Serbisë.
Ai është shprehur se gjykata mund të bashkëpunojë me secilin shtet dhe secilën prokurori.
Madje, sipas tij, edhe prokuroria e Kosovës duhet të bëjë ç’është e mundur që të japë prova për krimet e luftës së fundit në Kosovë.
“Shpesh është përmendur që gjykata ka zyre në Serbi, në fakt nuk ka në Serbi zyre të tillë. Mirëpo, prokuroria mund të bashkëpunojë me secilin shtet dhe prokurori, ajo nuk është e paligjshme”, ka thënë Blakaj, për RTV Dukagjini.
I pyetur se a beson që kjo gjykatë do të sjellë drejtësi, Blakaj ka thënë se kjo do të shihet në fund të procesit, derisa ka shtuar se beson në përgatitjen e mirë të mbrojtjes së ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Mbetet të shihet në fund të procesit, do të shohim, dhe shpresoj se do të jetë transparente gjykata. Jam i sigurt që mbrojtja e të akuzuarve do t’i shoshisin të gjithë dëshmitarët, kemi pasur raste edhe te rasti i Ramush Haradinajt, ku janë paraqitur dëshmitarë të ndryshëm, ku në fund është konstatuar që ata dëshmitarë nuk janë kredibilë, sepse janë fabrikuar nga shërbimi sekret serb”, ka thënë ai.
Ai, në fund, ka thënë se është e rëndësishme që gjykata të mos i marrë parasysh dëshmitarët, të cilët japin deklarata të rrejshme, si dhe provat të mos jenë të fabrikuara.