Specialja refuzon kërkesën e Selimit lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim

Specialja refuzon kërkesën e Selimit lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim lidhur me kërkesën e të akuzuarit Rexhep Selimi lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim.



Sipas vendimit të 27 shkurtit 2024 të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, është refuzuar kërkesa e Selimit për anulimin e vendimit të Administratores lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve në mes atij dhe një personi tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli: (a) REFUZON kërkesat e Mbrojtjes së Selimit për anulimin e vendimit të Sekretarit në lidhje me monitorimin aktiv të thirrjeve ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.

Ndërsa, është pranuar kërkesa e tij për anulimin e një vendimi të Administratores lidhur me refuzimin e një telefonate ndërmjet Selimit dhe një personi tjetër

“PRANON kërkesat e Mbrojtjes së Selimit për anulimin e vendimit të Sekretarit në lidhje me refuzimin e një telefonate ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR] dhe URDHËRON Sekretarin që të mos refuzojë thirrje të tilla, përveç nëse rrethanat e reja e kërkojnë këtë”, thuhet në vendim.

Ndërsa, është rrëzuar kërkesën e Selimit për të anuluar vendimin e Administratores për të monitoruar në mënyrë aktive videolidhjet dhe vizitat ndërmjet Selimit dhe një personi tjetër.

“HEDHË si të diskutueshme kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të anuluar vendimin e Sekretarit për të monitoruar në mënyrë aktive video-vizitat ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]; (d) HEDHË si të diskutueshme kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të anuluar refuzimin efektiv të pretenduar të Sekretarit të një Vizite Private ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]; dhe (e) UDHËZON Mbrojtjen Selimi dhe Sekretarinë të paraqesin versionet e redaktuara publike të dosjeve të tyre përkatëse ose një kërkesë që dosjet e tyre të mëparshme të riklasifikohen si publike deri të enjten, 7 mars 2024”, thuhet tutje në vendim.

Në arsyetimin të këtij vendimi thuhet se lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve telefonike ndërmjet Selimit dhe dikujt tjetër për të cilin DhSK-ja ka vendosur redaktime, trupi gjykues ka konstatuar se Administratorja ka vepruar brenda autorizimeve ligjore.

“Lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve telefonike ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR], Paneli konstaton se Sekretari ka vepruar brenda autorizimeve të parapara me ligj, rregullore dhe vendime të këtij Paneli. Paneli përcaktoi, për më tepër, se Sekretarja nuk ka abuzuar me diskrecionin e saj në këtë çështje, se masa është e nevojshme dhe proporcionale, është në përputhje me mbrojtjen efektive të të drejtave të të interesuarve, nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë natyrore dhe drejtësisë procedurale”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Ndërsa, lidhur me refuzimin e thirrjes ndërmjet Selimit dhe një personi për të cilin DhSK ka vendosur redaktime, trupi gjykues ka konstatuar se Administratorja ka gabuar në përcaktimin e saj se masat ishin të nevojshme dhe proporcionale me rrethanat.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Related Articles