Specialja rrëzon kërkesën e ish-shefit të AKI-së për pezullim të procesit në Hagë

Specialja rrëzon kërkesën e ish-shefit të AKI-së për pezullim të procesit në Hagë

Kërkesa e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakajt, për pezullim të procesit në rastin kundër tij është rrëzuar nga gjyqtarja e rastit. Ajo ka konstatuar se mospërfshirja e intervistave nga një dëshmitar nuk e cenon procesin, dhe kjo mund të bëhet gjatë zhvillimit të gjykimit.

Njëri prej dëshmitarëve të akuzës, të cilin Smakaj është i akuzuar se e ka ndikuar, kishte dhënë një intervistë në Prokurorinë e Hagës më 6 dhjetor 2023. Mbrojtja e Smakajt pretendon se kjo intervistë vërteton se ish-shefi i AKI-së nuk ka ndikuar në dëshmitar për t’i treguar se çfarë të dëshmonte.

Megjithatë, mbrojtja ka ngritur akuza të forta ndaj Prokurorisë së Hagës, duke thënë se ajo ka mbajtur të fshehur këtë intervistë dhe nuk e ka ofruar para Gjykatës Speciale përpara konfirmimit të aktakuzës. Sipas mbrojtjes, Prokuroria as nuk e ka përmendur ekzistencën e kësaj interviste, duke e akuzuar për shkelje të detyrave të saj.

Në parashtresën e saj, mbrojtja e Smakajt thotë se ky lëshim është “shokues”, pasi Prokuroria nuk ka përmendur intervistën e dëshmitarit 2 as në kërkesën për konfirmimin e aktakuzës, as në aktakuzën e vetë, dhe as në rregullin që shoqëron aktakuzën.

Sipas avokatit të Smakajt, kjo intervistë minon përfundimisht akuzat se Smakaj ka pasur kontakt me dëshmitarin 2 për të ndikuar në dëshminë e tij, pas vizitës së 9 shtatorit 2023. Mbrojtja thekson se provat nga ky dëshmitar konfirmojnë se Smakaj nuk ka ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshminë e tij.

Nëse kjo intervistë do të ishte paraqitur gjyqtarit, sipas mbrojtjes, do të kishte pasur rëndësi të madhe në vendimin e Gjykatës Speciale për aktakuzën ndaj Smakajt. Akuza ndaj Prokurorisë për fshehje të provave shfajësuese është ngritur edhe më herët në rastet kundër krerëve të UÇK-së.

Related Articles