Rreth 5, 000 mijë persona kanë humbur jetën e dhjetëra mijëra të tjerë janë lënduar nga dy tërmete të fuqishme që kanë goditur në mëngjesin e të hënës Turqinë dhe Sirinë.
Ekipi i mundjes së Kosovës të hënën pas orës 04:00 të mëngjesit i shpëtoi më të keqes, pasi në hotelin ku ishin duke qëndruar në Kahramanmarash të Truqisë, i shpëtuan tërmetit të fuqishëm që goditi këtë vend.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës (FMK), Genci Fazlija në një rrëfim për Gazetën Enigma ka treguar se si ka ndodhur tërmeti dhe si i shpëtuan më të keqës.
Deri në momentin e tërmetit gjithçka kishte shkuar mirë për ekipin e mundjes që përbëhej nga jashtë persona thotë Genci Fazlija.
“Kemi pasur ftesë prej Federatës Botërore të Mundjes me marrë pjesë në një turnir të mundjes në qytetin Kahramanmarash të Turqisë dhe ne kemi shku në atë turnir. Gjithçka ka shku mirë deri në ditën kur ndodhi tërmeti”, tregon Fazlija.
Genci Fazlija thotë ajo që e kanë përjetuar rreth orës 04:20 të mëngjesit kur ka filluar tërmeti as në filma nuk e kanë parë këtë gjë.
“Ne jemi kanë në gjumë në orën 4:20 të mëngjesit edhe ka qenë një gjë e tmerrshme që as në filma nuk e kemi parë ashtu. Hoteli ku jemi kanë ne të vendosur fatmirësisht hoteli ka qenë i ndërtuar mirë. Konstrukcionet e tij të metalta kishin qenë të forta se muret fillun me ra, pllakat e keramikës bishin, pasqyret dhe ormonat të gjithë u thyen”, rrëfen ai për Gazetën Enigma.
Fazlija rrëfen se janë larguar nga hoteli përmes shkallëve emergjente. Ai tregon për tmerrin që e panë kur janë dalë jashtë hotelit duke i parë të gjitha objektet e rrafshuara.
“Fatmirësisht në pshtuam të gjithë dolëm në korridor, gjashtë vet të ekipës që kem edhe i shfrytëzuam shkallët emergjente dhe dulëm jashtë. Kur dolëm jashtë, çka me pa tmerr, paramendo të gjitha objektet për rreth hotelit ku jemi kon ne të vendosur të gjitha të rrafshuara”, tregon ai.
Ekipi i mundjes i përbërë nga 6 persona treguan anën humane të tyre duke i ndihmuar viktimave që kishin mbetur nën rrënoja.
“I dëgjojshim njerëzit t’u bërtitë t’u kërku ndihmë, me atë tonën e dëshmuam vetën si popull humanist, si shqiptar. Iu përveshëm punës ku i ndihmuam disave duke i shpëtuar nga gërmadhat, po ka qenë edhe koha shumë e keqe, ka rënë shi me borë bashkë edhe na u lodhëm e u lagëm filloi edhe forca me na lëshu duke u detyruar të largohemi prej aty me rekomandim të policisë”, vazhdon rrëfimi i Fazlijes.
Ekipi i Kosovës për gjashtë orë radhazi kishin vazhduar t’i ndihmonin të ngujarit nën rrënoja derisa policia iu kishte dhënë urdhër që të largoheshin.
“E gjitha kjo ka zgjatë prej orës 4:20 deri në orën 10:30, kemi qëndru aty t’u i dhanë ndihmë popullatës lokale aty që kanë qenë të prekur nga tërmeti. Pas kësaj kemi vazhduar në stacion të autobusëve në karmarash edhe fati ka qenë që një autobus drejt qytetit Kaiser nja 300 kilometra larg prej qytetit të Karmarashit në drejtim të Stambollit. Dje gjithë natën kemi qëndruar aty, diku rreth orës 02:00 pas mesnatës na ka leju me ardh për Stamboll”, tregon ai.
Genci Fazlija thotë se është një situatë që s’ka qef me e kujtu për shkak të skenave që i ka parë për rreth 6 orë.
“Është një storie që nuk kemi qef me e kujtu, ka qenë diçka e tmerrshme, unë e kam përjetuar edhe luftën në Kosovë, ka qenë situatë shumë e rëndë, situatë e rëndë sepse fëmija e kërkojke prindin, prindi e kërkojke fminë, po kemi qenë të pafuqishëm për t’i dhënë ndihmë atyre që kanë qenë nën gërmadha”, rrëfen Fazlija i emocionuar.
Ai beson se sot do të mbërrijnë në Prishtinë nga Stambolli, duke i falënderuar të gjithë organet përkatese për kujdesin ndaj tyre.
“Besojmë që sot vijmë në Prishtinë nëse arrinë MKRS-ja me rezervu biletat për Shkup ose Tiranë, se për Prishtinë nuk kish, besoj që sonte mbërrijmë në Prishtinë. Në ndihmë na kanë dalë Ministria e Sportit, Komiteti Olimpik i Kosovës, Ambasada në Ankara dhe i falenderojmë për ndihmën e dhënë, ne i kemi ndjekur udhëzimet e tyre dhe na ka dalë mirë”, thotë ai.
/GAZETA ENIGMA/