Stadiumi i Qytetit në Gjilan i lënë pas dore, tani fëmijët argëtohen në të (Foto)

Stadiumi i Qytetit në Gjilan i lënë pas dore, tani fëmijët argëtohen në të (Foto)

Premtime e shumë premtime, mirëpo në fund asgjë. Stadiumi i Gjilanit ku luajnë dy klubet që kanë luftuar për titull këto vitet e fundit vazhdon të jetë në mëshirën e fatit, e tani edhe fëmijët e qytetit po luajnë në të.

Që sa kohë ka premtime të shumta se do të nisin punimet me shpresën që të përmirësohen kushtet në stadiumin e qytetit, por deri më tani të gjitha kanë qenë vetëm fjalë.

Gazeta Nacionale ka siguruar disa fotografi të bëra ditën e diele, ku shihen fëmijët duke luajtur në stadiumin e Gjilanit, stadium ky që është bërë temë që sa kohë shkaku i punës me hapa të ngadaltë.

Si Drita ashtu edhe Gjilani janë detyruar që këtë edicion ndeshjet si vendas ti zhvillojnë në stadiume ndihmëse për shkak të kushteve të tmerrshme.

Premtime të shumta, por punimet ende s’kanë nisur

Kujtojmë, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka premtuar më 25 dhjetor se pas 90 ditëve do të përfundojë hartimi i projektit e pastaj menjëherë do të nisin punimet.

“Para pak ditëve është nënshkruar kontrata për hartim të projektit pasi nuk ka ende projekt final. Pritet që brenda 90 ditëve të përfundojë projektimi dhe të nisin menjëherë punimet në stadiumin e Gjilanit”, kishte shkruar ai në Facebook, e tani mbetet të shihet nëse një gjë e tillë do të rezultojë e vërtetë.

Ndërkohë, i njëjti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku patën deklaruar se më 15 shtator do ta tregonin datën se kur do të përfundojnë punimet, por pastaj nuk dhanë asnjë deklaratë.

Kësisoj, si Drita ashtu edhe Gjilani, sidomos kjo e fundit shkaku i gjendjes së rëndë financiare – po vazhdojnë të kenë probleme të mëdha në zhvillimin e ndeshjeve nikoqire.

Mirëpo, të dy klubet janë duke luftuar për titull me Dritën që është lider në tabelë me 38 pikë, aq sa ka edhe Ballkani – derisa Gjilani renditët në pozitën e katërt me 27 sosh.

Related Articles