Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka folur edhe njëherë lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai është shprehur se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe që i është paraqitur palëve në proces të dialogut në Bruksel është i balancuar dhe evropian.
“Lidhur me draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga EUSR për dialogun e Beogradit në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon në fund. të muajit tetor dhe më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian”, tha ai për RTV21.
Më tutje Stano ka bërë të ditur arsyet se përse BE-ja nuk po e bënë publik përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit.
“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim. Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen. Të njëjtën gjë presim edhe nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, tha tutje Stano.
Theksojmë se sot gjatë ditës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga BE-ja si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.