Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar ndaj deklaratave në Kosovë që e konsiderojnë draftstatutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si një “non-paper”.
Ai theksoi se këto deklarata përbëjnë një mospërfillje të ftesës së Këshillit të Bashkimit Evropian për të avancuar në themelimin e Asociacionit, duke u bazuar në propozimet e mëparshme të paraqitura në dialogun Kosovë-Serbi, njofton Gazeta Enigma.
Stano theksoi se obligimi i Kosovës për krijimin e Asociacionit është formalisht i pranuar, si pjesë e marrëveshjeve të arritura në vitet 2013 dhe 2023.
Ai e kujtoi se këto marrëveshje janë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicë të dyfishtë dhe janë pranuar në parim nga liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Stano, është për keqardhje që pas një viti që ka kaluar nga pranimi në parim i këtyre marrëveshjeve, nuk ka pasur lëvizje të mëtejshme në procesin e themelimit të Asociacionit, duke penguar implementimin e këtij angazhimi.
“Edhe pas 11 vjetëve Kosova ende nuk i ka ndërmarr hapat e nevojshëm drejt themelimit të tij dhe prandaj nuk është duke përmbushur obligimet e qarta, sipas së drejtës ndërkombëtare, që ishte përsëritur edhe në marrëveshjet e viteve 2015 dhe 2023. Sipas marrëveshjeve relevante të viteve 2013 dhe 2015 nga dialogu statuti për themelimin e Asociacionit duhet të draftohet dhe diskutohet në dialog. Çfarëdo propozimi duhet të diskutohet me Serbinë dhe lehtësuesin e BE-së dhe duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Kjo po ashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund ta draftojë statutin jashtë procesit të dialogut”, ka thënë zëdhënësi Stano.
“Qeveria e Kosovës nuk mund të heq dorë nga përgjegjësitë e dialogut apo tua delegoi ato komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.
Më tej ka shpjeguar se si, sipas tij, Kosova dhe Serbia e kishin pranuar “në parim” atë që quhet tashmë “propozim evropian”.
“Në tetor të vitit 2023, në një përpjekje për të avancuar procesin e normalizimit, BE-ja me mbështetje nga vendet anëtare dhe partnerët si SHBA-ja, formalisht prezantuan një draftstatut evropian për themelimin e Asociacionit. Draftstatuti evropian është i bazuar në modelet dhe praktikat e mira si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Draftstatuti i ishte prezantuar personalisht kryeministrit Kurti nga ana e lehtësuesit të BE-së bashkë me këshilltarët për siguri kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe të përfaqësuesit të posaçëm amerikan. Në takimin e nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në praninë e presidentit Emmanuel Macron, kryeministres Giorgia Meloni dhe kancelarit Olaf Scholz, të dyja palët e pranuan në parim draftstatutin evropian”, tha Peter Stano.
Ndërsa, sipas këtij zëdhënësi, ky propozim tashmë është shndërruar në një “dokument” që ka formalisht mbështetjen e të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së.
“Në konkluzat e dhjetorit të vitit 2023, Këshilli Evropian mirëpriti gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për ta pranuar draftstatutin që u është propozuar palëve nga ana e lehtësuesit të BE-së. Kjo paraqet pranim formal të dokumentit nga të gjithë 27 vendet anëtare. Ta quash draftstatutin evropian si thjeshtë si vetëm një ‘non-paper’ paraqet mospërfillje të thirrjes nga Këshilli i Bashkimit Evropian për të vepruar në bazë të tij pa vonesa të reja drejt themelimit të tij. Na vjen keq që pas një viti, që kur palët e pranuan dokumentin në parim, nuk është arritur progres në themelimin e asociacionit në përputhje me draftstatutin evropian. Në përputhje me ripërkushtimin zyrtarë ndaj dialogut dhe implementimit të plotë”, tha Stano./GazetaEnigma/