Ndonëse fillimisht mendohej se heqja e masave është çështje dite, kjo tani ka ngecur tek shtete anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat akoma nuk kanë marrë vendimin përfundimtar.
Se është kjo çështje në kompetencë të shteteve anëtare, këtë e konfirmoi edhe Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Në një përgjigje me shkrim ai përsëritë se shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka rekomanduar në qershor heqjen e masave, dhe se tani i diskutimet po vazhdojnë mes vendeve anëtare.
Përmbajtja e raportit, sipas Stanos, është konfidenciale dhe nuk do bëhet publike.
Siç merret vesh nga burimet diplomatike, debate i zhvilluar pas dorëzimit të raportit nga Josep Borrell ka dëshmuar ndasi mes shteteve anëtare rreth mënyrës se si të shkohet drejt heqjes së masave. Ndonëse ka dominuar mendimi se ato duhet të hiqen gradualisht e jo krejtësisht, ka ekzistuar ideja që fillimisht të niset me heqjen e menjëhershme të masave financiare. Mirëpo edhe për këtë gjë nevojitej pajtimi i 27 shteteve anëtare, të cilat nuk kanë arritur ujdinë rreth tekstit përfundimtar.
Një javë pas rekomandimit të Borrellit, në kryeqendrën evropiane me ftesë të BE-së erdhën liderët e Kosovës dhe Serbisë për një raund të ri të dialogut në nivelin më të lartë politik. Mirëpo nuk erdhi deri te takimi i përbashkët meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, parashtroi tri parakushte në mënyrë që të angazhohet në normalizim të marrëdhënieve. Pak ditë më pas u zhvillua një takim i kryenegociatorëve i cili gjithashtu rezultoi i pasuksesshëm.
Sipas ca burimeve evropiane, edhe qasja ndaj dialogut po e vështirëson vendimin për masat.
“Çështja është ende në tavolinë në pritje të një vendimi përfundimtar, i cili natyrisht është gjithashtu i vështirë për t’u marrë në kontekstin e sjelljes së fundit jokonstruktive në takimin e nivelit të lartë dhe takimin e kryenegociatorëve”, ka thënë një zyrtar evropian në kushte anonimiteti.