Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se autotoritetet e Kosovës nuk i kanë dorëzuar BE-së një raport të plotë në lidhje me sulmin terroristë në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar, nga ku mbeti i vrarë një pjesëtarë i Policisë së Kosovës, njofton Gazeta Enigma.
Stano tha se nuk mund të vazhdojmë me sanksione ndaj Serbisë, pa pasur rezultatet e hetimit.
“Në lidhje me hetimin… fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, deklaroi Stano në një konferencë për media.
Stano nuk i bëri përgjegjëse autoritetet serbe për sulmin, por vetëm tha se sulmi është kryer nga ana e territorit serb.
“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova ashtu edhe Serbia kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana e Serbisë – nuk po them nga shteti serb, por nga territori i Serbisë. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, tha zëdhënësi. /Gazeta Enigma