Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme dhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se nuk do të ketë takime në margjinat e atij forumi në Zvicër si pjesë e dialogut mes dy vendeve.
“Nuk do të ketë takim dialogu në Davos”, ka thënë Stano.
Në deklaratën për pjesëmarrjen e Kurtit në forumin në Davos, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur agjendën e kryeministrit të Kosovës.
“Kryeministri Kurti javën e ardhshme do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, sa i përket agjendës së kryeministrit atje, ende nuk është përfundimtare, kështu që do të njoftoheni me kohë për takimet që do të mbahen në margjinat e forumit”, thuhet në deklaratë.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në shtator të vitit të kaluar në Bruksel në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
Forumi Ekonomik në Davos të Zvicrës do të fillojë më 15 janar dhe do të zgjasë katër ditë, ndërsa motoja e edicionit të 54-të të tij është “Rindërtimi i besimit”.