Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur të dielën në Banjskë të Zveçanit ka qenë sulm terrorist.
Në një konferencë për media, ai ka shtruar nevojën që të kryhet një hetim i plotë dhe sipas tij, përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë.
“Më lejoni të jem shumë i qartë rreth qëndrimit të BE-së për atë që ka ndodhur të dielën. Ky ka qenë sulm terrorist dhe sulmi terrorist duhet të hetohet dhe ata që janë përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Stano.
Tutje, ai ka theksuar se nevojitet bashkëpunim rreth hetimit në mënyrë që të sigurohet që ky sulm terrorist nuk është vetëm i hetuar, por që të vihet drejtësia ndaj atyre që kanë planifikuar, ekzekutuar dhe atyre që qëndrojnë prapa sulmit.
“Këto qëndrime të BE-së janë përsëritur disa herë. Partnerët e dinë. Nuk përfshihemi që të komentojmë gjithçka të çdokujt që bën në rajon. BE-ja ka qenë shumë e qartë në deklaratën e saj rreth pritjeve tona dhe këshillave ndaj palëve se çka duhet të ndodhë tani sepse ajo çfarë ka ndodhur ishte shumë serioze”, ka shtuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kujtojmë se edhe të mërkurën, Stano ka mbajtur një konferencë për media, ku ka theksuar se BE-ja është në pritje të një hetimi të plotë në mënyrë që të mund të vendos rreth sanksioneve apo ndëshkimeve.