Strukturat e BE-së thonë se “kanë nisur punën” për heqjen graduale të disa masave ndaj Kosovës

Strukturat e BE-së thonë se “kanë nisur punën” për heqjen graduale të disa masave ndaj Kosovës

Përderisa Kosova si një ndër vendet e rralla në Evropë feston ditën e Evropës si festë kombëtare, ajo mbetet i vetmi vend i rajonit i cili është tash e dy vjet nën masat e Bashkimit Evropian. Por KOHA mëson se në strukturat e BE-së ka filluar puna për heqjen graduale të disa masave, edhe pse ky proces mbetet shumë i paqartë dhe jotransparent nga ana e Komisionit Evropian.

“Si vazhdim i debatit që kishin ministrat e Jashtëm në takimin e tyre muajin e shkuar, Shërbimi i Veprimit të jashtëm (EEAS) dhe Komisioni Evropian kanë nisur punën drejt heqjes graduale, të kushtëzuar dhe të kthyeshme të masave ndaj Kosovës”, është konfirmuar nga burimet e BE-së.

Sipas burimeve diplomatike, për heqjen e masave ndaj Kosovës insistohet më shumë nga EEAS ndërsa Komisioni Evropian është më hezitues. Kur u vendosen masat ato u vendosen brenda disa ditësh ndërsa tash për heqjen e tyre po diskutohet me muaj të tërë, pa asnjë hap konkret. Burimet diplomatike pohojnë se janë disa shtete, si Franca, Italia, Hungaria dhe Sllovakia, që hezitojnë të mbështesin heqjen e masave ndërsa këtë e shfrytëzon dhe Komisioni Evropian i cili dëshiron që masat të jenë në fuqi sa më shumë që të jetë e mundur. Por Komisioni si argument përmend “kundërshtimin e disa vendeve anëtare”.

Së shpejti do të mbushen dy vjet prej kur BE-ja vendosi masat ndaj Kosovës për shkak se autoritetet e Kosovës i konsideroi përgjegjëse për dhunën dhe tensionet në veri të Kosovës. Nga ana tjetër nuk pati kurrfarëë masash ndaj Serbisë. Një qasje të tillë shumë shtete të BE-së e konsiderojnë si “jo të balancuar nga ana e BE-së”.

Mësohet se “heqja graduale” e masave do të nisë me lejimin e pjesëmarrjes së Kosovës në takimet e nënkomisioneve për Kosovën si dhe në takimet për asistencën teknike nga Fondi i investimeve në Ballkanin Perendimor. Kjo, sipas burimeve të BE-së, do të jetë një heqje simbolike e disa masave. Por as kjo nuk ka ndodhur akoma.

Disa zyrtarë të BE-së thonë se “as Kosova nuk po ndihmon që t’i ndihmohet” dhe ajo “nuk po bën hapa për të rritur gjasat për heqjen e masave”. Këto burime rikujtojnë se në konkluzat e takimit të Këshillit të BE-së në muajin dhjetor të vitit të shkuar ishte thënë se heqja e masave do të jetë graduale dhe ajo do të shkojë paralelisht me hapat që duhet të ndërmarrin autoritetet e Kosovës drejt uljes së tensioneve në veri.

Related Articles