Është arrestuar edhe një person në Pejë lidhur me mashtrimet me subvencione.
Këtë e ka bërë të ditur Policia, derisa njoftojnë se me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Lidhur me rastin, është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orës të Policisë së Kosovës.
Më 3 dhjetor, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar 31 persona të dyshuar për mashtrime me subvencionet, 12 prej tyre zyrtarë me pozita të ndryshme në komuna dhe zyrat rajonale të Agjencisë Zhvillimore të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.
Aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar në tetë komuna të vendit, Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.
Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm.
Aksioni i ngjashëm për “Subvencione 2021”, ishte edhe në shkurt e qershor ku ishin arrestuar dhjetëra persona zyrtarë shtetërore, e disa prej të cilëve iu ishte caktuar edhe masa e paraburgimit./Gazeta Enigma/.