Suhareka nuk ia doli ta sigurojë mbijetesën në Superligën e Kosovës në futboll, pasi në kuadër të xhiros së fundit barazoi 2:2 me Ballkanin.
Suhareka kampionatin e përfundon në pozitën e parafundit me 42 pikë. Mbijetesën nuk e ka siguruar as Feronikeli 74 që është në vendin e fundit me vetëm 15 pikë.
Ndërkohë, Gjilani dhe Ferizaj matematikisht kishin gjasa për të zënë vend në kualifikimet e Ligës së Konferencës nga vendi i tretë për edicionin e ardhshëm, por të dyja mbetën pa Evropë, pasi ndeshja e zhvilluar të dielën në terrenin me bar sintetik në Ferizaj u mbyll 2:2.
Ferizaj kaloi në epërsi me golin e Valmir Nafiut në minutën e 20-të.
Tre minuta pasi nisi pjesa e dytë, vendësit e dyfishuan rezultatin. Shënoi sulmuesi Betim Haxhimusa. Gjilani më pas u kthye duke barazuar rezultatin në 2:2. Fillimisht realizoi mbrojtësi Armend Thaqi, kurse për 2:2 shënoi Almir Aganspahiq, tetë minuta para fundit. Gola më nuk pati në këtë ballafaqim.
Gjilani e mbylli këtë edicion të elitës së futbollit kosovar me 51 pikë, ndërsa Ferizaj me 50 pikë përfundoi në vendin e pestë.
Avancimin në Evropë këtyre dy skuadrave ua pamundësoi edhe barazimi i Prishtinës me Malishevën, 2:2.