Suhareka ka fituar ndaj Malishevës me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Mirel Josës ka shfrytëzuar terrenin vendas për të marrë tri pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat krijuan raste shënimi, por pa arritur t’i konkretizojnë dhe shkuan në pushim baras 0-0.
Në pjesën e dytë, vendasit ishin skuadër më konkrete, pasi dy nga rastet e krijuara arritën t’i shndërrojnë në gol, ndërsa mysafirët arritën vetëm një herë ta tundin rrjetën.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 57-të me anë të Eneid Kodra, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Mevlan Zeka (85’) u përkujdes për epërsinë 2-0.
Në minutat shtesë, Malisheva gjeti golin me anë të Drilon Hazrollajt, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 2-1.
Pas kësaj fitore, Suhareka ngjitet në pozitën e gjashtë me 32 pikë, ndërsa Malisheva mbetet e treta me 41 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, therandasit udhëtojnë te Ballkani, ndërsa malishevasit e presin Prishtinën.