Suhareka ka fituar në udhëtim te Malisheva me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Qëndrim Kidës ka marrë edhe fitoren e dytë radhazi duke njoftuar Malishevën e Bekim Isufit me humbje pas tri ndeshjeve pozitive.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe më konkrete të mysafirëve, të cilët shënuan edhe dy gola.
Ishte sulmuesi gjakovar, Mevlan Zeka, i cili fillimisht shënoi për 0-1 në minutën e 21-të pastaj i njëjti në minutën e 40-të për 0-2.
Në pjesën e dytë, vendasit u kthyen në lojë duke luajtur më mirë, duke krijuar më shumë dhe duke shënuar edhe një gol, e cila ishte e pamjaftueshme për rezultat pozitiv.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 73-të me anë të Drilon Hazrollajt, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 1-2.
Pas kësaj fitore, Suhareka e sheh veten në pozitën e pestë me 25 pikë, teksa Malisheva e treta me 29 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Malisheva udhëton te Prishtina, teksa Suhareka e pret rivalin lokal, Ballkanin.