Ashtu si një vit më parë, pritje të njëjtë në Bukuresht pati edhe më 15 nëntor të këtij viti për Kombëtaren e Kosovës, me thirrje raciste, vërshëllima për himnin kombëtar dhe gjuajtje të gjësendeve të forta në fushë nga tifozët rumun.
Nëse rumunët i arsyetojnë tifozët e tyre me faktin se janë huliganë, nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë ajo që ndodhi në konferencën për shtyp dhe në ‘Zonën mikse’ nga një zyrtar i Federatës së Futbollit rumun, që tentoi të sulmonte një futbollist kosovar.
Provokimi i zyrtarit rumun që kishte një ID me akses të plotë filloi në sallën e konferencave derisa ishte duke folur Fraco Foda, Amir Rrahmani e Bajram Shala.
Ai u afrua te Edon Zhegrova i cili ishte ulur në karrike së bashku me Agim Ademin dhe pjesën tjetër të gazetarëve kosovarë dhe rumunë.
Zyrtari rumun i fliste te veshi Zhegrovës duke e kërcënuar dhe duke i thënë pse po provokoni, derisa në atë moment ndërhyu Agim Ademi i cili i tha zyrtarit rumun që mos ta përsëritë më atë gjest për ta prekur dhe për t’i folur futbollistit.
Edhe vet Zhegrova i tha atij ‘Largomu sysh se nuk dua të flas me ty’.
Në atë moment pranë Zhegrovës janë afruar dy gazetarë nga Kosova duke e ruajtur yllin dardan pasi situata ishte shumë e tensionuar dhe çdo gjë mund të pritej nga këta persona.
Në atë moment ndërhyu Bajram Shala dhe Taulant Hodaj të cilët me forcë e larguan zyrtarin arrogant rumun i cili mendonte të qëronte hesape me delegacionin kosovar.
“Ti je person zyrtar dhe nuk ke të drejtë ta sulmosh një futbollist”, i tha Taulant Hodaj.
Megjithatë pas një tollovie të madhe drejtuesit e Kosovës së bashku me futbollistët u largua, derisa pamjet janë një dëshmi për UEFA-n se çfarë pritje skandaloze i është bërë Kombëtares së Kosovës nga rumunët ku u tentua të sulmohej një futbollist në një ambient që duhej të ishte i sigurt për çdo person zyrtar.