Xhiro e 20-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll do të vazhdojë sot me dy ndeshje mjaft interesante.
Sfida kryesore e ditës së sotme është ajo mes Gjilanit dhe Ballkanit.
‘Portokallinjtë’ e nisën me fitore stinorin pranveror, duke triumfuar në çastet e fundit në shtëpi ndaj Dukagjinit me rezultat 1-0.
Edhe skuadra e Gjilanit arriti një fitore të madhe fundjavën që shkoi, duke triumfuar si mysafir ndaj Llapit me rezultat minimal 1-0.
Ballkani ndodhet në vendin e dytë me 36 pikë, kurse Gjilani pozicionohet në vendin e 6-të me 24 pikë.
Sfida tjetër interesante është ajo mes Feronikeli 74 dhe Llapit.
Llapjanët kanë harruar kur kanë shijuar fitoren e fundit në kampionat, me një të fundit që daton në shtator të vitit të kaluar, kur e kishte mposhtur Suharekën në shtëpi. Që atëherë, skuadra e Batatinës ndodhet në një seri prej 12 ndeshjesh pa fitore në ligë (7 humbje, 5 barazime).
Kjo formë e dobët i rangon ata të parafundit në tabelë, me 18 pikë të mbledhura pas 19 xhirosh.
Feronikeli 74 ndërkohë ndodhet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të mbledhura.