Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar duke demantuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, teksa foli për grupet e armatosura dhe me uniforma që u shfaqen në veri të vendit mbrëmjen e 31 korrikut.
Ai teksa publikoi një deklaratë të Vuçiqit duke propaganduar për këtë çështje në Kuvendin e Serbisë, i pari i MPB-së me anë të shpërnardjes së një video tregon se si zyrtarët policorë janë sulmuar nga bandat kriminale në veri.
“Deklarimet dhe veprimet e Serbisë të cilat na i kujtojnë fundvitet e 80-ta dhe 90-ta të shekullit të kaluar”, shkroi ai krahas videos së publikuar në Facebook.
Ndërkohë, të mërkurën, për grupet me uniforma në veri që i ka përmendur presidenti i Serbisë, ministri Sveçla në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Kurti, tha se në vazhdimësi kanë thënë se këto grupe që sulmojnë funksionimin e sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit të Kosovës janë të financuara dhe udhëhequra nga Aleksandar Vuçiq dhe qeveria serbe.
“Janë duke u bërë hetime intensive për këto çështje, andaj edhe do të isha pak i rezervuar për këtë. Por, ne në vazhdimësi kemi thënë që të gjitha grupet të cilat janë të organizuara në drejtim të luftimit të shtrirjes së sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit territorial të institucioneve të Kosovës, jo vetëm se janë të cytura, por janë edhe të financuara e të udhëhequra nga Aleksandër Vuçiq dhe qeveria e Serbisë”.
“Dhe kemi dëshmi për prezencë të grupeve të armatosura, të uniormuara me maska në natën e 31 korrikut. Instituic0net tona janë të përkushtuara që t’i identifikojnë të gjithë ata. Është hera e parë që edhe vet presidenti i Serbisë konfirmon një gjë të cilën ne e kemi thënë para një kohe”, theksoi ai.