Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është i bindur se më 1 shtator Kosova do t’i zbatojë pa hezitim vendimet për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.
Ai thotë se Policia e Kosovës është e gatshme që të zbatojë këto dy vendime.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje-dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite. Dhe vendimi i dytë është kalimi i veturave me targa ilegale në vetura me targa legale. Edhe ky një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel”.
“Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të cytura nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, ka thënë ai në një intervistë për Alsat M.
Sveçla beson se serbët e Kosovës e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtyre dy vendimeve, derisa shton se të njëjtit ishin viktima të propagandës serbe dhe ruse.
“Zbatimi i këtyre dy vendimeve u shty për një muaj me qëllim që qytetarët e etnisë serbe në Kosovë të informohen sa më shumë, sa më drejt për këto dy vendime. Ne dhe aleatët tanë ndërkombëtarë kishim ndjenjën se kishte një keqpërdorim të shtuar të këtyre qytetarëve duke qenë viktima të propagandave të Serbisë dhe Rusisë prandaj vlerësuam se është e nevojshme që të vazhdojmë me këto fushata vetëdijesuese”.
“Tashmë jam i bindur se qytetarët tanë të etnisë serbe të cilët preken nga çështja e ndryshimit nga targa ilegale në targa legale janë të informuar mbi të gjitha benefitet që ata gëzojnë me fillimin e këtij procesi. Sa për njoftim të shkurtër, të gjithë ata pa asnjë ngarkesë financiare dhe me procedura jashtëzakonisht të thjeshtëzuara, me formalitete shumë të vogla do të mund të kalojnë në vetura me targa legale. Në krahasim me qytetarët tjerë ky është një kursim prej 5-6 mijë euro për veturë”.
Ai thotë se “në veri tashmë kemi një situatë komplet ndryshe, të paimagjinueshme nga më herët për sa i takon sundimit të rendit dhe ligjit”.