Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me raportimet se Kosova ka shprehur gjendje gatishmërie për luftë ndaj Serbisë.
Sveçla thotë se është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake.
“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, ka shkruar Sveçla.
Ai thekson se Kosova nuk është e interesuar për luftë dhe se po angazhohet për për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit.
“Nuk jemi të interesuar për luftë por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit”, ka theksuar ai.
Ndryshe, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë Petar Petkoviq, tha se vendosja e njësive të ushtrisë dhe MPB-së në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake është “përgjigje ndaj kërcënimit të menjëhershëm të luftës” dhe asaj që po bën Kosova për të “kryer një sulm” në veri të Kosovës.
“Duke pasur parasysh se Kosova e ngriti gatishmërinë luftarake të forcave të sigurisë së Kosovës në nivelin më të lartë, duke i përgatitur ato njësi, tyta të gjata dhe automjete të blinduara për të sulmuar popullin serb në veri të Kosovës me qëllim që të sulmojnë gratë, pleqtë tanë, fëmijët, burrat, njerëzit tanë që vetëm në barrikada mbrojnë të drejtën e jetës së zhveshur”, theksoi Petkoviq në RTS.