Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas miratimit të rezolutës kundër referendumit të Serbisë në Kosovë, i cili ka thënë se nuk do të lejojmë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin tonë, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, ka shkruar ai në prifilin e tij në Facebook.
Njëherit, Sveçla ka theksuar se “sovraniteti i vendit tonë dhe integriteti territorial i Republikës, është i pacënueshëm dhe i patjetërsueshëm. Dua ti siguroj të gjithë qytetarët pa dallim, që ne nuk jemi kundër askujt dhe nuk mohojmë të drejtën e askujt për të zgjedhur. Por, ne nuk do të lejojmë që për qëllime politike të Serbisë, të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit”.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë.
“Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serb të Kosovës, e kjo duhet të marrë fund. Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë, në Zyrën Ndërlidhëse apo duke shkuar për të votuar në vendvotimin e tyre në Republikën e Serbisë”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se “e njëjta mënyrë tashmë është përcaktuar edhe nga shtetet tjera demokratike, ku qytetarët serb mund të votojnë në ambasada si në Austri, Belgjikë dhe Luksemburg, Itali, Norvegji, Rusi, Francë, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Njejtë votohet dhe në vendet fqinje si Maqedoni e Veriut e Mal të Zi. Si Ministër i Punëve të Brendshme, ju siguroj se do të kujdesemi maksimalisht që të veprojmë me transparencë të plotë, në pajtim me standardet demokratike dhe Kushtetutën tonë, për të garantuar kështu mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetit territorial dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë”.
Sveçla ndër të tjera ka theksuar se qëndrimi i përbashkët i deputetëve të Kuvendi të Kosovës në miratimin e kësaj rezoliute ështb për tu përshëndetur.
“Është për t’u përshëndetur qëndrimi i përbashkët i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët sot miratuan Rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të organizohet dhe të hapen vendet e votimit për referendum të Republikës së Serbisë si dhe obligon Qeverinë dhe institucionet të ndërmarrin veprimet brenda kompetencave, për të mos lejuar cënimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, pa cënuar në anën tjetër as të drejtën e qytetarëve me dy shtetësi që të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë”.
Pos deputetëve Sveçla ka faënderuar edhe Policinë e Kosovës, Doganën dhe Prokurorinë.
“Me këtë rast dëshiroj të shprehë falënderimin dhe vlerësimin tim për Policinë e Kosovës, Doganën e Prokurorinë, për profesionalizimin dhe koordinimin e treguar mbrëmë, në ndalimin e futjes së materialit për referendumin që do të mbahet në Serbi”, ka deklaruar ai.
“Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë me profesionalizëm dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ata që kontribuojnë në të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve dhe vlerat demokratike të këtij vendi”, ka përfunduar ai./Gazeta Enigma/