Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të hënën pas dënimit të serbes për spiunazh ka deklaruar se institucionet shtetërore të Kosovës janë angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit, i cili, sipas tij, ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
“Institucionet shtetërore të Republikës sonë, si kurrë më parë, janë angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit në vendin tonë, i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues. Sot, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është dënuar me 6 vite burgim Jelena Gjukanoviq, e cila ka zhvilluar veprimtari spiunazhi duke nxjerrë dhe shpërndarë te akterë të ndryshëm në Serbi dokumente të brendshme dhe të ndjeshme të institucioneve tona. Ndërkohë që institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, kërkohet edhe më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
