Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka reaguar pas dyshimeve se një serb i Kosovës është plagosur e më pas rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Kosovës, duke cenuar hapur integritetin territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes dy vendeve, e cila, thotë Sveçla, ka prani më të shtuar të KFOR-it.
“Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Pos tjerash, ai thotë se ky përbën edhe një akt tjetër të përsëritur dhe të pandëshkuar. Sveçla ka shtuar se është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë.
“Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit. Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”.
