Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi në Leposaviq u gjetën 10 detonatorë ndezës me fitila, në afërsi të fshatit Gnjezhdan.
Sveçla akuzoi Serbinë se përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës.
“Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e insitucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve”, shkroi Sveçla.
“Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhnjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”, u shpreh tutje deputeti dhe ministri në detyrë.
