Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Samedin Mehmeti dhe Shefi i njësisë për trajtimin e materieve eksploduese Muhamet Rushiti, qëndruan në vizitë disa ditore në Paris të Francës, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Qëllimi i vizitës ishte realizimi i takimeve të ndërsjella dhe pjesëmarrja në panairin prestigjioz të MILIPOL, për shqyrtimin e zhvillimeve teknologjike nga fusha e sigurisë të cilat do të ndihmojnë avancimin e kapaciteteve institucionale relevante të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite delegacioni në fjalë realizoi disa takime të rëndësishme me personalitete të larta nga Franca, ndër to Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti realizoi një takim të veçantë me drejtorin e policisë nacionale të Francës Jerome Leonnet dhe përfaqësues të tjerë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti potencoi se policia e RKS-së mbetet të jetë partnere e dëshmuar dhe e besueshme e Francës dhe se bashkëpunimi midis Policisë së RKS-së me institucionet përkatëse të Francës është i shkëlqyeshëm.
Në kontekst të takimit u theksua se Kosova synon të jetë faktor stabiliteti në rajon dhe me gjerë dhe se përkundër sukseseve të arritura në luftimin e krimit, përmes ngritjes së bashkëpunimit, rezultatet e kësaj lufte do të jenë më të mëdha.
Pikë diskutimi në takim ishte përkrahja e Francës në procese të ndryshme përfshirë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, EUROPOL etj, për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Nga ana tjetër u rikonfirmua vullneti i Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy institucioneve në fushën e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit të mëtejmë, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore./Gazeta Enigma/