Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron sot në një vizitë zyrtare në Republikën e Francës, ku u takua me Drejtorin për Evropë Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Ambasadorin Frederic Mondoloni.
Me këtë rast ministri Sveçla e falënderoi Mondoloni, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria franceze si një partner i afërt dhe strategjik i Kosovës, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
“Ministri Sveçla konfirmoi zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si një ndër prioritetet kryesore, si dhe kërkoi edhe më tej përkrahjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.