Synimi i Abazit, të marrë pjesë edhe me Ballkanin në grupet e garës së UEFA-s

Synimi i Abazit, të marrë pjesë edhe me Ballkanin në grupet e garës së UEFA-s

Kualifikimi në fazën e grupeve të Ligës së Evropës ishte pjesa më e lavdishme e klubit shqiptar, Skënderbeut. Suksesin e klubit Korça të arritur dy herë, nuk ka arritur ta përsërisë asnjë klub shqiptar deri më tani. Pjesë e këtij suksesi të madh të Skënderbeut ishte edhe Leonit Abazi. Mbrojtësi i krahut të majtë, luajti në fazën e grupeve të Ligës së Evropës në dy edicione: 2015/2016 dhe 2017/2018. Suksesin e arritur me Skënderbeun, Abazi synon ta përsërisë edhe me kampionin e Kosovës, Ballkanin por në një rang më të ulët garash.

Në fakt, Liga e Evropës është niveli i dytë i UEFA-s pas Ligës së Kampionëve. Liga e Konferencës i takon nivelit të tretë të garave në nivel klubesh nga UEFA. Kualifikimi i Ballkanit në grupet e Ligës së Konferencës vlerësohet i arritshëm. E këtë mision, Abazi e sheh te arritshëm për Ballkanin. Ky është edicioni i dytë i Ligës së Konferencës, garë në të cilën Ballkani i vazhdoi garat pas eliminimit në raundin e parë kualifikues të Championsit.

“Është e vështirë, por jo edhe e pamundur për ta arritur kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Shpresoj të kemi fat në rrugëtimin tonë”, ka thënë të enjten për KOHËN ish-mbrojtësi i Prishtinës dhe Dritës.

Ballkani nuk kaloi raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Por, vazhdoi me sukses rrugëtimin në Ligën e Konferencës. Në fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës, eliminoi La Fioritan e San Marinos. Në duelin e parë të luajtur javën e shkuar në San Marino, Ballkani triumfoi me shifrat 4:0, kurse në ndeshjen e kthimit, që u zhvillua të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, fitoi me rezultatin 6:0. Në fakt, kjo ishte edhe fitorja më e thellë e një ekipi nga Kosova, që paraqitet në garat evropiane prej vitit 2017. Kështu që, në rundin e tretë u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 10:0. E, për të arritur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, Ballkani do të duhet t’i kalojë dy kundërshtarë. Në rast se e kalon edhe fazën e tretë, atëherë Ballkani do të jetë në plejof përpara fazës së grupeve. Në raundin e tretë, do të përballet me Klaksvikun e Ishujve Faroe. Ndeshja e parë do të luhet në Prishtinë më 4 gusht, ndërsa ajo e kthimit pas një jave në Ishujt Faroe.

“Nuk është se po e mendojmë edhe shumë fazën e grupeve, pasi ne po përgatitemi ndeshje për ndeshje. Fillimisht kemi kundërshtarin e Ishujve Faroe dhe shpresoj ta kalojmë këtë raund. E cilësojmë si kundërshtar të vështirë, pasi në këtë fazë të garave nuk ka kundërshtar të lehtë. Qëllimin e kemi ta kalojmë këtë raund të garave dhe më pas të mendojmë për plejofin e Ligës së Konferencës”, është shprehur Abazi.

Abazi në dy ndeshjet e Ligës së Konferencës ka shënuar dy gola, ndërsa vlerësohet si ndër lojtarët më me përvojë në Evropë. Abazi me Skënderbeun ka fituar tre tituj kampioni dhe dy Superkupa të Shqipërisë. Në edicionin e parë të fazës së grupeve të Ligës së Evropës, Skënderbeu e kishte trajner Mirel Josën, ndërsa në të dytin Ilir Dajën, trajnerin aktual të Ballkanit. Ai shpreson që ta përsërisin sërish suksesin në Evropë me trajnerin Daja. Abazi iu bashkua Ballkanit javë më parë nga Prishtina, skuadër me të cilën doli kampione e Kosovës.

“Me pak fat si në ndeshje ashtu edhe në short shpresojmë të arrijmë aty ku edhe e kemi synimin. Pra, ta sigurojmë kalimin në grupet e Ligës së Konferencës. Në herën e parë, në vitin 2015 te Skënderbeu nuk ka qenë trajner Ilir Daja. Uroj ta arrijmë këtë sukses së bashku. Kemi skuadër të komponuar mirë dhe atmosfera është shumë e mirë në klubin e Ballkanit. Kemi mbështetje maksimale”, ka thënë Abazi.

Related Articles