Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për krizën në Kuvend, duke thënë se institucioni më i lartë në vend vlerësoi se “themelimi i Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues”.
“Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike. Në cilësinë time si deputet, kam dorëzuar komente mbështetëse në këtë rast për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të ndalur instrumentalizimin e rregullave të Kuvendit nga një grup që nuk i ka votat, por kërkon të mbajë peng institucionet”, shkroi Tahiri.
Sipas deputetit, Gjykata konfirmoi se:
1. Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas tekeve politike;
2. Nuk ka të drejtë askush të vendosë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese e pa procedurë;
3. E drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues;
4. Grupi më i madh parlamentar e ka detyrimin për bashkëpunim me grupet e tjera përmes kompromisit politik;
5. Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit;
“Në këtë betejë, kemi qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe kemi dëshmuar se demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt. Rendi kushtetues triumfoi – dhe me të, edhe vullneti për institucione funksionale, jo peng të një partie të vetme”, shtoi në fund Tahiri.