Autoritetet gjermane kanë deklaruar se “nuk do të dorëzohen” dhe se Evropa duhet “të përgjigjet me vendosmëri” ndaj vendimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për tarifa prej 25% për veturat dhe pjesët e tyre të importuara.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, është shprehur se Bashkimi Evropian duhet të “përgjigjet me vendosmëri”.
“Duhet të jetë e qartë se ne nuk do të dorëzohemi para SHBA-së. Ne duhet të tregojmë forcë dhe vetëbesim”, ka thënë Habeck.
Edhe ekonomitë e tjera të mëdha botërore janë zotuar të hakmerren.
Franca e ka quajtur lëvizjen “lajm shumë të keq”, Kanadaja e ka cilësuar atë një “sulm të drejtpërdrejtë” dhe Kina ka akuzuar Uashingtonin për shkelje të rregullave të tregtisë ndërkombëtare, raporton BBC, transmeton Gazeta Enigma.
“Jemi në një situatë ku jemi në shënjestër. Ose do ta pranojmë, në këtë rast kjo nuk do të ndalet kurrë, ose do të përgjigjemi”, ka deklaruar ministri francez i Financave, Eric Lombard.
Të enjten në mëngjes, aksionet në Frankfurt për Porsche, Mercedes dhe BMË kanë rënë ndjeshëm e po ashtu për firmën franceze Stellantis, prodhuesi i Jeep, Peugeot dhe Fiat.
Trumpi ka kërcënuar se do të vendosë tarifa “shumë më të mëdha” nëse Evropa punon me Kanadanë për të bërë atë që ai e përshkruan si “dëm ekonomik” për SHBA-në.
Tarifat për veturat do të hyjnë në fuqi nga 2 prilli, ndërkaq ato për pjesët e tyre do të fillojnë në maj ose më vonë.
Trumpi ka deklaruar vazhdimisht se tarifat janë pjesë e një përpjekjeje për të ndihmuar prodhimin amerikan.
Ndonëse masa mund të mbrojë bizneset vendase, ajo gjithashtu pritet të rritë koston për bizneset që varen nga pjesët që importohen.
SHBA-ja ka importuar rreth tetë milionë vetura vitin e kaluar, në vlerë prej rreth 240 miliardë dollarësh.
Meksika është furnizuesi kryesor i veturave në SHBA, e ndjekur nga Koreja e Jugut, Japonia, Kanadaja dhe Gjermania.