“Tash do të jetë ndryshe”, mbyllja e komunave paralele shqetëson qytetarët serbë

“Tash do të jetë ndryshe”, mbyllja e komunave paralele shqetëson qytetarët serbë

Aksioni i Qeverisë së Kosovës për mbylljen e komunave paralele të Serbisë ka shkaktuar dëshpërim dhe shqetësim te serbët e Kosovës.

Në fshatin e Osojanit, në Istog, dhe në atë të Gorazhdecit, në Pejë, ku shumica janë serbë, thonë se në këto komuna paralele nuk ka pasur kurrë aktivitete ilegale, por vetëm shërbime në ndihmë të qytetarëve.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shpehur të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Në një deklaratë të BE-së, është thënë se mbyllja e zyrave ilegale serbe do të ketë efekt negativ në jetën e serbëve, teksa janë shprehur se po e vëzhgojnë me shqetësim të madh.

“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.” – thuhet në një deklaratë të lëshuar të dielën.

Sipas Stanos, çështja e statutit të këtyre zyrave “parashihet” të zgjidhet brenda dialogut, përkatësisht “në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.

“Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.” – ka shkruar BE-ja.

Gjithashtu edhe SHBA-të janë shprehur të shqrtësuar për operacionet e fundit të Kosovës.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me operacionet e fundit të kryera nga Policia e Kosovës “për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia”.

“Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë.” – thuhet në reagim.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të shtyjnë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedurat në përputhje me standardet evropiane.

“Ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.” – thuhet në reagim.

Related Articles