Taylor u pensionua pas Botërorit, i zbulon aspektet që e prekin një refer futbolli

Taylor u pensionua pas Botërorit, i zbulon aspektet që e prekin një refer futbolli

Rreth një muaj e gjysmë më parë, Anthony Taylor e drejtoi ndeshjen e 1/8 së finales së Botërorit mes Spanjës dhe Portugalisë në Dallas.

Sot, ndërkohë, ai nuk është i pranishëm në fillimin e garave në Angli.

Gjyqtari anglez e ka varur bilbilin në gozhdë dhe është tërhequr nga referimi.

Në një intervistë për BBC-në, ai i ka treguar arsyet që e shtynë ta merrte këtë vendim në moshën 47-vjeçare, pas 668 ndeshjeve të drejtuara në futbollin profesionist anglez, të gjitha finaleve kryesore të kupave kombëtare dhe 163 ndeshjeve ndërkombëtare.

“Një privilegj i jashtëzakonshëm, por presioni është intensiv dhe gjykimi mediatik është i vazhdueshëm”, kishte shpjeguar ai në njoftimin e bërë rreth një muaj më parë.

“Ka qenë pjesë e vendimit”, shpjegon Taylor. “Çdo refer do t’ju gënjente nëse do të thoshte se ai presion apo ajo vëmendje mediatike nuk e prekin, sepse bëhet fjalë për një reagim të natyrshëm njerëzor. Një nga sfidat me të cilat përballen gjyqtarët në të gjitha nivelet është ta kuptojnë plotësisht vështirësitë e këtij roli: frika për të gabuar, opinioni publik, tifozët, trajnerët, prindërit, mediat, kolegët. Të gjithë këta janë elementë që i ushqejnë pasiguritë dhe mungesën e besimit; prej aty situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe humbet aftësia për të qenë i sigurt në atë që e bën në fushë”.

“Të gjithë përballen me momente kur, pasi kanë jetuar për një kohë të gjatë në atë ambient, energjitë bien”, rrëfen tashmë ish-referi i futbollit.

“Dhe kjo fillon të ndikojë te motivimi dhe besimi në vetvete. Gjithmonë kthehesh te e njëjta gjë: ‘Duhet të nis nga e para, të sigurohem që të mos gaboj, dua ende të arrij në atë turne apo ta drejtoj atë ndeshje’. Është një ndjesi konkrete që e përjetojnë të gjithë. Isha shumë i sigurt për mënyrat e mia të përshtatjes për ta menaxhuar këtë. Vendimi im për t’u tërhequr bazohet vetëm në faktin se trupi dhe mendja e kanë ndjekur rrjedhën e tyre natyrale në këtë rol: tani janë gati të nisin një rrugëtim të ri”.

Pasi i drejtoi tri ndeshje në Botërorin e tij të dytë, Taylor thotë se e mori vendimin për t’u tërhequr në “momentin perfekt”.

Pavarësisht “një fije trishtimi”, sepse “bëhet fjalë për një pjesë të madhe të jetës sime, në të cilën do të më mungojë të jem i përfshirë”.

“Doja të vendosja vetë se kur të ndaloja dhe ta bëja sipas kushteve të mia. Dhe nuk besoj se ka një skenë më të mirë ku mund ta mbyllja sesa Kupa e Botës”. 

Related Articles