Këtë të hënë janë paralajmëruar dy protesta kundër reduktimeve të energjisë elektrike.
Fillimisht është paralajmëruar një konferencë për media, e cila do të mbahet të shtunën, ku edhe do të paralajmërohet protesta e së hënës, duke filluar nga ora 11:00, para Qeverisë së Kosovës.
Organizatorët e protestës kërkojnë nga KEDS rrymë 24 orë/7 ditë në javë, shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli si dhe nacionalizimin e KEDS-it.
Në një event në Facebook ku ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës që të bashkohen në protesta, siç i quajnë mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të vendit.
“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet në njoftimin e protestës.
Tutje, në këtë paralajmërim thuhet se KEDS-i është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizimin me energji elektrike 24 orë/7 ditë në javë.
“Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike”, thuhet më tutje në këtë paralajmërim./Gazeta “Enigma”/