Të marten mbahet raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi

Të marten mbahet raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi

Ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë do të takohen të në Bruksel. Sipas Bashkimit Evropian, në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe për çështjet e hapura.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë, se në raundin e ri të takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe çështjet çështjet e hapura e rrugën përpara në dialog.

Nga zyra e kryeministrit të Kosovës thonë se, “temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, ndërkaq “data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel politik ndërmjet liderëve varet nga rrjedha e procesit dhe dakordimi për çështjet në nivel kryenegociatorësh”.

Në anën tjetër nga e ashtuquajtura zyrë e qeverisë së Serbisë për Kosovën, thonë se në takimin e datës 16.11. ekipi serb kryesohet nga drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, dhe se në takim tema kryesore do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Autoritetet e Prishtinës janë kategorike kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç e kërkon Beogradi zyrtar “Asociacion me kompetenca ekzekutive”, duke iu referuar marrëveshjes parimore të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha para disa ditësh në një intervistë për DW-së, se “Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion mbi baza etnike” dhe se marrëveshjen e vitit 2013, sipas tij, deputetët e Kosovës e kanë miratuar në një trysni të jashtëzakonshme ku ka munguar transparenca.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që ia ka bërë përmbajtjes në vitin 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e 2013-ës. Me fjalë të tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm gërma e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi baza etnike”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, tha se “Kosova duhet ta formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel”, ose në të kundërtën, siç u shpreh, “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë”. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles