Të mërkurën, më 15 shtator, pritet të nis gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.
Ky është gjykimi i parë që po fillon para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përmes një shkrese të publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate, gjithashtu bëhet e ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka paraqitur rendin e dëshmive të dëshmitarëve për muajt nëntor dhe dhjetor 2021.
Aty thuhet se përfshihet edhe informacioni nëse ata dëshmitarë do të shfaqen drejtpërdrejt ose përmes lidhjes me video, si dhe kohëzgjatja e propozuar e marrjes në pyetje për dëshmitar.
Salih Mustafa, është i pari nga ish-pjesëtarët e UÇK-së që është arrestuar nga Gjykata Speciale.
Mustafa, i njohur si komandanti “Cali” ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e fundit në Kosovë.
Por, ish-eprori i UÇK-së ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që e ngarkon për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor e ndalim të kundërligjshëm të civilëve gjatë vitit 1999 në Kosovë.
Pos Mustafës, prapa grilave në Hagë po mbahen edhe katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.
Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.
Ndryshe kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, më shtatë shtator ishte për vizitë në Kosovë.
Me të marrë fjalën Trendafilova, u pyet nga gazetarët për faktin e rrjedhjes së dokumenteve të klasifikuara të gjykatës në publikun e gjerë, dhe për problemin që përbën që dokumente aq të rëndësishme “u kanë ikur duarsh nga zyrat e Prokurorisë Speciale”.
Kurse Trendafilova, me një sërë eufemizmash, pati thënë se “më mirë është të bëni pyetje, mendoj unë, se sa të bëni deklarata”.
“Unë po e shoh që ju po i qaseni emocionalisht kësaj mbledhjeje”, i kishte Trëndafilova gazetarit që shtroi një pyetje, dhe i propozoi që “le ta marrin qetë këtë punë”.
Ndërsa për Mandatin e Dhomave të Specializuara ajo theksoi se kjo gjë që është e përcaktuar me ligj të këtij institucioni gjyqësor.
“Dhomat e Specializuara do të jenë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se të gjitha procedurat hetimore apo para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kenë përfunduar”, kishte thënë Trendafilova.
“Siç e kanë bërë të qartë Dhomat e Specializuara dhe kanë theksuar në vendimin e tyre të 20 nëntorit të vitit të kaluar kjo do ta bie në fund punën e Dhomave të Specializuara”.
Ndryshe, Dhomat Specializuara do të kenë juridiksion mbi krimet që kanë ndodhur midis të 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, dhe që ose janë kryer ose janë filluar në Kosovë.