Asnjë zyrtarë i komunës së Gjakovës, por as nga Ministria e Arsimit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të Gazetës Enigma për të dhënë një sqarim pasi të enjten e 30 marsit në shkollën e mesme teknike “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë ishte vendosur një shenjë që tregonte se ndalohet bartja e shamive për vajzat e besimit islam”, shkruan Gazeta Enigma.
Ndërsa në Udhëzuesin Administrativ të MASHT-it neni.3, renditen veprimet e ndaluara për nxënësit, derisa në pikën 1.13 të këtij neni është edhe moslejimi i bartjes së uniformës fetare.
Ndër të tjera, Udhëzuesi Administrativ i MASHT-tit përcakton të drejtat, obligimet, veprimet e ndaluara, vijueshmëria në mësim dhe masat e procedurat disiplinore dhe zbatimi i tyre ndaj nxënësve të cilët shkelin rregullat e etikes.
Përveç bartjes së uniformës fetare, veprime të ndaluara konsiderohen edhe: mungesa e paarsyeshme, mbajtja e armëve të ftohta dhe të zjarrta si dhe mjetet e tjera që rrezikojnë jetën e nxënësve dhe personelit, veprimet e dhunshme, bartja dhe konsumimi i drogës, duhanit alkoolit, hyrja me vonesë në orë mësimi, prishja e rendit dhe qetësisë, lëshimi i orës pa leje, përdorimi i celularit, bartja dhe përdorimi i ditarit të klasës, falsifikimi i dokumentacionit, kopjimi, dëmtimi i inventarit dhe veshjet ekstravagante dhe grimi i tepruar.
Por, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, thotë për Gazetën Enigma se ky udhëzues duhet të ndryshohet nga MASH-ti.
“Udhëzuesi që ua ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla të mesme të larta duhet të rishikohet – çdo nxënës duhet të ketë të drejt të barabartë në shkollim. Në këtë debat mund të ketë mendime të ndryshme mirëpo padrejtësia nuk duhet te jetë e nxitur nga kundërshtimi, por, drejtësia duhet të prihet nga argumenti kushtetues i barazisë”, tha ai.
Edhe Bashkësia Islame e Kosovës, ka thënë se ky veprim “e trajton mbulesën e femrës sipas parimeve islame si një veprim ordiner”.
Nga ky institucion fetar kanë kërkuar anulimin e Nenit të Udhëzimit Administrativ, që e parasheh këtë ndalesë.
“Një trajtim i tillë i parimeve fetare është mendësi e së kaluarës moniste. Mësimet e parimet fetare nuk dëmtojnë e nuk rrezikojnë shoqërinë, përkundrazi edukojnë, mësojnë e fisnikërojnë. Ky është qëllimi i besimit, e në këtë kontekst duhet parë edhe mbulesën e femrës myslimane.
LEXO EDHE: Vendosja e shenjës për ndalimin e shamisë në shkollën e Gjakovës, reagon Bashkësia Islame e Kosovës
Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se ky veprim është diskriminues, paragjykues dhe kundër të drejtave dhe lirive të njeriut.
“KMDLNj kërkon nga DKA në Gjakovë që menjëherë ta largojë atë shenjë diskriminuese nga shkolla në fjalë, t’u kërkojë falje publike besimtarëve që janë ndier me të drejtë të fyer sikur që të kursehen nga fjalët e rënda ofenduese që nuk janë në përputhje as me doktrinën fetare e as asaj morale, dhe të vazhdohet të forcohet besimi, durimi dhe toleranca ndërfetare në Gjakovë që ka qenë shembull i mirë edhe për komunat e tjera në Kosovë ku kanë bashkëjetuar komunitetet dhe besimet e ndryshme fetare në një mjedis mirëkuptimi”, thuhet në reagim.
KMDLNJ gjithashtu ka kërkuar nga institucionet që kjo çështje të rregullohet me ligj të veçantë, e mos të mbetet peng i një udhëzimi administrativ.
“Bartja e shamisë pati nxitur shumë debate, sidomos viteve të fundit, dhe KMDLNj ka kërkuar të rregullohet specifikisht me ligj kjo çështje, ndërkaq konsideron se vajzave dhe femrave që kanë bartur shami u janë shkelur të drejtat e njeriut, si në shkollë ashtu edhe gjatë konkurimit për një vend pune, ku përcaktuese për mospranim nuk ka qenë mospërgatitja profesionale, por bartja e shamisë, ndonëse në vendim për refuzim nuk thuhet ashtu”, thuhet tutje në reagimin e KMDLNJ.
LEXO EDHE: KMDLNJ reagon për ndalimin e shamisë në një shkollë të Gjakovës: Është kundër të drejtave të njeriut
Ndryshe, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, të enjten lëshoi një reagim për simbolin që ishte vendosur në këtë shkollë, i cili simbolizonte mosvendosjen e shamisë.
Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Drejtoreshës së Shkollës së Mesme, Florentina Gjergjaj, e cila mbrëmë bëri një postim pas simbolit që ndalon vendosjen e shamisë në këtë shkollë.
Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar Gjergjaj.
Ajo ka thënë se do t’i drejtohet edhe autoriteteve të sigurisë për, siç ka thënë, fushatën e kërcënimeve që Balje ka nxitur ndaj saj,
“Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitet sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Gjergjaj. /Gazeta Enigma/.