Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje lidhur me targat, derisa ky vendim është arritur pas takimit në Bruksel, raporton Gazeta Enigma.
Sipas kësaj marrëveshje, njësitet speciale të policisë dhe bllokadat e vendosura në rrugët që dërgojnë për në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak duhet të largohen prej aty jo më vonë se në orën 16:00 të së shtunës.
“Njësitet speciale të Polcisë, që për momentin janë të vendosura në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me bllokadat në rrugë, duke nisur nga datë 2 tetor, 2021 në orën 8:00 deri jo më vonë se në orën 16:00. KFOR-i do të vendosohet në pikat kufitare në Jarinjë Bërnjak”, thuhet në marrëveshje.
Ndryshe, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kuftitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Lajçak ka shkruar se pas dy ditësh negociatash, është arritur marrëveshja që e de-eskalon situatën në veri të Kosovës.
“E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.
Marrëveshja përmban tri pika, që përfshijnë zhbllokimin e rrugëve për në Jarinjë dhe Bërnjak bashkë me pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës duke filluar nga e shtuna.