Tenistet e Kosovës do të paraqiten për herë të parë në plejofin e “Billie Jean King Cup”, garën e ekipeve përfaqësuese në tenis. Përfaqësuesja e Kosovës në tenis luan në Grupin III të “Billie Jean King Cup”, që është niveli më i ultë.
Gara e përfaqësueseve në tenis është e ndarë në nivele, ndërsa Grupi III është niveli i fundit aktualisht.
Prej tij, Kosova ka gjasa të avancojë tashmë.
Kosova të martën fitoi 3:0 ndaj Kenisë. Ndërkohë të mërkurën fitoi 2:1 ndaj Shqipërisë dhe tashmë do të paraqitet në plejof për avancim në Grupin II. Në Grupin D të nivelit III është dashur të paraqitet edhe Namibia. Por kjo përfaqësuese ka hequr dorë nga gara, ka njoftuar Federata e Tenisit e Kosovës.
Ndaj Kenisë, të martën, shkëlqyen Donika Bashota e Adrijana Lekaj. Bashota fitoi 2:0 në sete ndaj Cynthia Wanjala, 6:1, 6:4. Lekaj fitoi po me 2:0 në sete ndaj Alicia Owegi, 6:0, 6:1. Në çifte, Bashota e Lekaj fituan 6:1 e 6:0. Pra afrikanet as për së afërmi nuk ishin rivale të tenisteve kosovare.
Ndaj Shqipërisë, Vesa Gjinaj fitoi ndaj Kristal Dule me 2:0 në sete (6:1, 6:4). Adrijan Lekaj e mposhti Gresi Bajrin po ashtu me 2:0 (6:2, 7:5). Në çifte u paraqitën Donika Bashota e Forta Morina. Ato pësuan 2:1 në sete nga Kristal Dule e Rea Qinami (6:2, 4:6, 1:6).
“Kosova shkruan historinë në ‘Billie Jean King Cup’, kualifikohet në plejof për herë të parë. Të premten ekipi do të luftojë për të kaluar në rang më të lartë për herë të parë”, ka njoftuar Federata e Tenisit e Kosovës.
Kosova po garon në Shkup. 15 përfaqësuese nga Evropa e Afrika janë pjesë e garës në Shkup. Vetëm një promovohet në Grupin II. Pra Kosovën e pret ende rrugë e gjatë për të avancuar një nivel më lartë.
Irlanda, Islanda, Sejshellet; Portugalia, Malta, Burundi; Maqedonia e Veriut, Afrika e Jugut, Botsuana, Uganda janë në grupet e tjera të garës në Shkup.
“Billie Jean King Cup” luhet prej vitit 1963. Emri i kësaj gare u ndryshua në Fed Cup në vitin 1995, ndërsa u kthye në shtator të vitit 2020, për të nderuar ish-tenisten numër një në botë, Billie Jean King.