Pas dështimit të takimit të javës së kaluar midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq një përballje e radhës për dialog midis dy vendeve do mbahet sot, raporton Gazeta Enigma.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të ulen në tavolinë, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me Bislimin dhe Petkoviqin vazhdon për të punuar në zhbllokimin e marrëveshjes.
Ndërsa duke ju referuar takimeve të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin javën e kaluar, ai tha se diskutimet ishin më sfiduese se kurrë.
“Javën e kaluar, Borrell dhe unë pritëm Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti në Bruksel për një tjetër takim të Dialogut Beograd-Prishtinë. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh Kryenegociatorët për të përpunuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”, thanë nga BE.
“Java ime përfundoi në Dubrovnik në Forumin vjetor të Dubrovnikut që mbledh së bashku politikën dhe vendimmarrës nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë. Kjo ngjarje është gjithmonë një tregues i mirë se ku jemi, përpara pushimeve politike të verës. Këtë vit, fokusi ishte në sfidat globale, zgjedhjet dhe zhvillimet e ardhshme, por diskutuam gjithashtu të ardhmen e Ballkanit Perëndimor si pjesë e BE-së”
Ndërsa zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.