Në Pejë një person ka tentuar ta vrasë një polic, duke u munduar ta godas me veturë dhe duke shtënë me armë në drejtim të tij, shkruan Gazeta Enigma.
Për rastin ka reaguar sindikata e Policisë së Kosovës, ku ka shprehur shqetësim të thellë dhe se për të njëjtin ka thënë se është akt kriminal dhe i papranueshëm.
Po ashtu, nga sindikata është thënë se ky akt s’është sulm vetëm ndaj vetëm këtij polici porse është sulm ndaj institucioneve të Kosovës.
“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për incidentin e rëndë ku një veturë me targa vendore ka tentuar ta godasë një zyrtar policor në detyrë. Zyrtari policor, për fat të mirë, ka arritur t’i shmanget goditjes nga kjo veturë, ndërkohë që i dyshuari, gjatë lëvizjes, ka shtënë me armë zjarri nga dritarja e automjetit”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është arrestuar dhe aktualisht po përballet me procedurat ligjore. “Ky akt kriminal dhe i papranueshëm nuk përbën vetëm një sulm ndaj zyrtarit policor, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, rendit dhe sigurisë publike. Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri, duke siguruar që autori i këtij akti të përballet me dënimin maksimal që parashikon ligji. Sulmet ndaj zyrtarëve policorë nuk duhet të tolerohen dhe duhet të trajtohen me prioritet për të dërguar një mesazh të qartë se ligji dhe rendi janë të pacenueshëm”, theksohet tutje aty. /Gazeta Enigma.