Një person është arrestuar në Ferizaj, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumente duke regjistruar 19 punëtorë me kontrata pune për të përfituar paratë nga Pakoja Emergjente Fiskale për COVID.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas një hetimi disa mujor nga ana e Prokurorisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin J.K., nga komuna Ferizaj, në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprat penale “Mashtrimi me subvencione” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, thuhet në njoftim.
Përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një (1) muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 4,940.00€.
“Po ashtu, i dyshuari J.K., me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, konkretisht kontrata pune pa autorizim si dhe pa pëlqimin e të dëmtuarve, me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinal edhe pse asnjërin nuk e kishte të regjistruar në ATK dhe nuk i’u kishte paguar kontributet personale, por kjo ishte bërë vetëm për të aplikuar për marrjen e subvencioneve të punëtorve”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. /Gazeta Enigma/.