Tentoi t’i vriste duke i përplasur me veturë nënë e bir, arrestohet një burrë në Shkodër

Tentoi t’i vriste duke i përplasur me veturë nënë e bir, arrestohet një burrë në Shkodër

Është arrestuar një burrë në Shkodër i cili me dashje i përplasi me veturë nënë e bir, kolegët e tij.

Për motive dashakeqe ai u mundua t’i vriste ata, bën me dije policia, por që viktimat janë jashtë rrezikut për jetë.

I dyshuari akuzohet me veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte përplasur me automjetin që drejtonte, 2 shtetas që po kalonin në korsinë e dedikuar për këmbësorë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.  Në përfundim të veprimeve të kryera në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi:  M. M., 38 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentative”, njofton policia.

“Ky shtetas, më datë 15.03.2024, në Bushat, dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë, duke i përplasur me automjetin që drejtonte, në korsinë e dedikuar për këmbësorë, 2 kolegët e tij, shtetasit D. N., 60 vjeçe dhe K. N., 32 vjeç (nënë e bir), të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”.

Automjeti që drejtonte shtetasi M. M. është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Related Articles